Sunday, November 21, 2010

Me mire nje vote denimi sot se nje revolucion me ngjyre neser

 

Më kujtohet kur kam qenë i vogël, babagjyshi më tregonte për kokrrat. E kisha të vështirë të kuptoj se si e kanë shkruar emrin në kokrra. E mora vesh kur ma tregoi një tregim se si njëri nga Llugagjia, një fshat tek Lypjani, kishte vendos me dalë si kandidat dhe e ka bërë edhe ai kutinë e tij. Tregimi thotë që ky zotëria që ka dalë me qëllim të mirë – për ta përfaqësuar popullin e vet, por pa e marrë miratimin e partisë, nuk e kishte marrë asnjë kokërr. Kur e pyeti mikun e tij të ngushtë i cili i kishte dhënë besën që do të ja qes kokrrën, se çka ndodhi, ai ju përgjigj: “Pasha besën e shqiptarit unë e shtina kokrrën në kutinë tënde po se qysh ka dalë ne kutinë e atij tjetrit nuk e di”.

Tani kur kam të drejtën dhe përgjegjësinë për të votuar, jam po aq i hutuar se kujt do t’i shkoj vota ime, jo pse unë nuk e di, por për shkak se vota ime nuk mund të kërcej, por sigurisht mund të fluturoj nëse dikujt i teket (e ka planin) të ndërtoj aeroplan prej letrës. Në princip ky është niveli i demokracisë në Kosovë, por nuk është proces që është ndalur - vazhdon. Për të mos e sfiduar teorinë e Darvinit, nga kokrra, me evolucion kemi mbërri në një letër që mund të bëhet fluturake. Meqë evolucioni nuk pyet për të fuqishmit dhe ata që kanë ndjenjën se mund edhe ta ndalin kohën, e kjo është treguar me të gjithë ata që kanë ndërtuar diktaturë mbi popujt e vet, po besoj që tani ka një dallim nga 2007 dhe 2009. Jo pse kane ndërruar njerëzit që manipulojnë me votën, por pse ka ndërruar koha dhe me këtë edhe procesi. The gjithë ata që nuk kanë dalë në votime në vitin 2007 dhe ata që prapë nuk kanë dalë në 2009, me plotë të drejtë, e kanë ditur që vota e tyre shndërrohet në fluturake edhe nuk ke çka bën. Duhet me shujtë edhe mos me bë zë se pavarësia nuk ka ardhur ende, se gjykata ndërkombëtare e drejtësisë nuk e ka shpall vendimin ende, se kjo edhe ajo plus edhe do tjera arsye përfshirë edhe ndryshimin e flamurit, që po të njëjtit që e ndryshuan e djegën një flamur e që ishte shumë i afërt me atë kombëtar. Por pa ata ndryshimet nuk bëhen - thoshin miqtë.

Tani të gjitha këto u kryen, më nuk është ndershmëri as trimëri me ndej te shtëpia, e të mos votohet me arsyetimin se nuk ke për kënd, apo me arsyetimin tjetër se ashtu kështu vota do të vidhet. Këto skenarë dhe mundësi për të ndodhur nuk janë eliminuar, ata që e kane bërë këtë gjë e bëjnë prapë apo do të tentojnë ta bëjnë prapë. Një gjë ka ndryshuar, tani është hequr mundësia që akuza se nëse populli flet ashtu siç do dhe e merr fatin ne duart e veta, mund t’ia prish imazhin Kosovës. Imazhi saj nuk ka ku shkon ma keq: 40% papunësi; shtet jofunksional; krim i organizuar; gjyqësi e ndikuar dhe e ngulfatur nga lendet e pakryera; korrupsion masiv; shkelje të Kushtetutës në Prishtinë e Rahovec; njerëz që pasurohen brenda natës; dëshmorë e veteranë të përbuzur e pa dinjitet; pensionistë-pleq pa respekt minimal; tituj akademik brenda natës; rrëzim qeverish nga Zanzibari; rektor të huaj në universitete publike; vetëm 71 njohje nga qindra të premtuara; 18 të vdekur ne lumin Tisa; diasporë e përdhunuar; dhoma më e sigurt e vjedhur; territor të pakontrolluar; gjykime politike; shtypje të lirisë së fjalës së lirë; kërcënime ndaj gazetarëve; reketim të bizneseve; rrush e patate që kalben; kontrabandim ndërkombëtar i veshkave së bashku me gurë vullkanik; burgu ma i madhe ne Evropë, lista vazhdon... Kush i ka bërë këto?- Populli jo, veç populli jo.
Populli ka bërë vetëm një gjë, atë që di ta bëjë më së miri. Ka duruar si nuk duron as edhe një popull i vetëm në botë. A do të durojë më? A do te duroj qe t’i bëhet vota fluturake dhe a do te durojë më që nga një shtypje e huaj me dekada të kaloj edhe një dekadë në shtypje tjetër të tipit te ish sistemeve te kaluara. Natyrisht që zakonisht fajtori për të gjitha këto është jetim, por kësaj radhe është i zhveshur, cullak, po tingëllon më mirë, i tëri. E vetmja gjë transparente në këtë shoqëri është fajtori vet, se ai ka emër dhe mbiemër dhe “nuk ka mundur t’i rezistoj fuqisë vet” - do të thoshte një miku im. Pushtetet që nuk i rezistojnë fuqisë vet përfundojnë në mënyrën më të keqe. Shpresoj te mos i shkaktojnë më shumë dhembje këtij vendi. Asnjë shkrimtar, filozof, publicist apo politikolog nuk mundë të thirret ne ndihmë për shkak se askush nuk ka mundur të parashikojë që mundë të jetë kaq keq.

Nëse në Kosovë këtë radhë nuk flet vota e lirë, por kërcen e fluturon apo blihet me paratë e Kazakistanit, atëherë populli si çdo kund tjetër në botë detyrohet me i përvjel mangët e të bëj atë që popujt e vendeve të bllokut ish socialit e kanë bërë para gati 20 viteve - ajo është çlirimi nga vetvetja. Ky nuk është skenari më i mirë, por mund të jetë i vetmi nëse vidhet dhe paguhet vota. Nuk ka qenë me i miri skenar as kur ka qene portokall në Ukraine, e as ai roze në Gjeorgji, bile edhe revolucioni buldozer në Serbi. Krejt këto revolucione kolor kanë prolonguar dhembjen, sepse kane lënë të paprekur strukturat që janë krijuar jashtë institucioneve. I tërë fokusi ka qenë i drejtuar tek njerëzit me fytyra publike, por jo edhe te formacionet e tyre të nëntokës, të cilat janë fshehur dhe kanë funksionuar më mirë, së paku pas revolucionit kolor nuk kanë pasur përgjegjësinë para publikut, por kane kontrolluar resurset e vendit. Këtu Kosova dhe njerëzit e saj kanë një mësim për të marrë, para se të ngjyrosin një revolucion tjetër në koloritin e revolucioneve të botës, duhet provuar që vota të jetë revolucioni paqësor nëpërmjet së cilës fillon tranzicioni i mendësisë politike dhe formës së qeverisjes.

Vota dhe dalja masovike duhet ta kthej politikën nga instrumenti i vjedhjes dhe manipulimit të popullit dhe resurseve të shtetit në artin e zgjidhjes së problemeve, afirmimit të vendit dhe ngritjes së mirëqenies. Votimet e dhjetorit ne Kosove duhet te jenë festë masovike kombëtare. Edhe pse kjo mund të tingëllojë shumë vizionare dhe e komplikuar, në fakt nuk është asgjë më tepër se sa proces normal i pastrimit të institucioneve dhe në të njëjtën kohë ruajtje e kontinuitetit të funksionimit të shtetit dhe një deklarim plebishitar i asaj se çka do të thotë demokraci Kosovare. 12 Dhjetori është më shumë se dita e zgjedhjeve. Kjo nuk do të befasoje askënd, as miqtë. Miku i mirë nuk ta rreh shpinën kur i ke punët keq.

Nëse ky popull që ka qëndruar kaq shumë dhe ka ditur që të tejkalojë kaq shumë vështirësi dhe në momente më të rënda ka ditur të mbledh fuqinë të falë edhe ata që ë kanë lënduar keq, dhe të bëhet bashkë kundër të keqes dhe kundër atyre që kane inkurajuar vëllavrasjen, konfliktin dhe ndarjen provinciale, tani, do të dijë ta bëjë këtë prapë. Jo për veten, jo vetëm për atë se sot i ka punët keq, por pse Kosova ka qenë vendi unik i mbijetesës dhe mundet të jetë vend unik i suksesit në botë. Këtë borxh ja kemi edhe miqve tanë që na kanë ndihmuar, por me tepër ja kemi borxh vendit dhe gjeneratave të ardhshme. Kjo bëhet me votë, kjo bëhet duke e mbrojtur votën, kjo bëhet duke i vendosur institucionet në shërbim të njerëzve dhe demokracinë kulturë te jetës dhe jo retorikë demagogjike.

No comments:

Post a Comment